Heronjtë e vërtetë kur e kapin armën nuk e lëshojnë, derisa të fitohet liria

Nga Flori Bruqi

Loading...

Agim Ramadani ishte jo vetëm luftëtar dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ishte edhe vizionar dhe faktor unifikues i luftës së Kosovës, u tha në akademinë përkujtimore me rastin e 12-vjetorit të rënies së Agim Ramadanit dhe dëshmorëve të Betejës së Koshares. Me këtë rast ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka kërkuar që termi “kosovar” mos të përdoret për t’i dhënë kuptim tjetër, por vetëm atë kuptim që ka, si krahinë e Shqipërisë, ashtu siç është Labëria, ose Mirdita.

Gjenerali shqiptar Alfred Moisiu ka thënë se Beteja e Koshares është ndjekur me interesim më të veçantë se betejat tjera të Kosovës, të cilat po ashtu kanë qenë të lavdishme, por kjo betejë kishte një rëndësi strategjike për faktin se kishte të bënte me komunikimin direkt ndërmjet Shqipërisë dhe pjesës së çliruar të Kosovës.

Thyerja e KUFIRIT

Me këtë rast, ai ka shprehur kundërshtimet e tij për tendencën për të bërë ndarje mes kombit shqiptar, duke nxjerrë termin kosovar si komb të ri.

“Sigurisht Kosovën e quaj krahinë të Shqipërisë, sepse ashtu është, siç është Labëria, siç është Mirdita, e siç janë viset tjera të Shqipërisë. Pra mirditorët janë mirditorë, labët janë labë dhe kosovarët janë kosovarë, por shqiptarë janë të gjithë.

Pra pikërisht ne duhet të mësohemi, jo ne se ne këtë e dimë, por gjithë të tjerët duhet të mësohen, që jemi një komb që padrejtësisht na ndanë, në mënyrë shumë grabitqare na ndanë, por edhe sot mos të flemë gjumë, sepse një fjalë e popullit thotë `uji fle, por hasmi nuk fle’”, ka thënë ish presidenti shqiptar.
Në këtë linjë ishte edhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, i cili ka shprehur hapur kundërshtimin e tij pse në këtë akademi u intonua vetëm himni shtetëror i Kosovës, e jo edhe himni kombëtar.

“Heronjtë e vërtetë kur e kapin armën nuk e lëshojnë, derisa të fitohet liria, ose liria e vetë personale që ai të vdes në fushë të betejës dhe të mbetet i pavdekshëm përgjithmonë, ose bashkë me të tjerët ta gëzojnë lirinë, ku njerëzit do të mund të mendojnë, të bisedojnë, të flasin, të shkruajnë, të punojnë, të veprojnë lirisht dhe të jenë anëtarë kombit të vetë, e jo të vijë situata të kemi ne himna pa fjalë, himna të cilët më shumë të vënë në gjumë, sesa të japin forcë të qëndrosh.

E ne duhet të ngrihemi në këmbë, sepse nuk duam t’ua prishim qejfin miqve tanë, sepse duam që megjithatë të tregojmë se jemi më burra se ata që mundohen të na shburrërojnë, me shpresë e me bindje të plotë se do ta kemi himnin edhe ne me fjalë të vërteta, me fjalë të ushtrisë sonë, me fjalë të popullit tonë”, ka thënë Demaçi.

Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, duke folur për figurën e Agim Ramadanit dhe Betejën e Koshares, ka thënë se kjo betejë, tregoi se UKÇ-ja ishte forcë kompakte, me strukturë komanduese dhe e aftë për luftë frontale.

“Agim Ramadani nuk ishte vetëm luftëtar, luftëtar dhe ushtar i madh, por mbi të gjitha ai ishte vizionar, unifikues dhe strateg i madh. Ai ishte i ndërgjegjshëm dhe lufta jonë do të kishte sukses vetëm nëse të gjithë do të bashkohemi rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe idealit të saj, dhe tërë energjinë e tij i shkriu për këtë ideal të shenjtë, i cili u sëndërtua në Betejën e Koshares, e cila i bashkoi të gjithë ata që kishin ideal të vetëm lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, është shprehur Çeku.
Agim Ramadani përveç strateg lufte, ishte edhe piktor dhe poet, i cili mori edhe shpërblime ndërkombëtare.

Për krijimtarinë e tij ka folur akademik Rexhep Ferri, i cili tha se pikturat dhe poezitë e Agim Ramadanit, janë art i luftës, art i jetës dhe art i vdekjes.

Gjenerali Agim Ramadani

Agim Ramadani (1964-1999) lindi në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, në Kosovë, me 3 maj të vitit 1964. Shkollimin filor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e përsonale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoj si emigrant politik, mëqe me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet antarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse kishte të rregulëuar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjës së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicërr tre fëmijë dhe gruan.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerrjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerrjës së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht- duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

Portert i gjeneralit Agim Ramadani

Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës.

Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *